Tuesday, April 16, 2013

frog

Edhe kafshët kanë hallin e tyre sikurse njerëzit. Kështu, të brengosura nga rrëmuja që mbretëronte ndërmjet tyre, në një moçalishte të madhe, bretkosat i dërguan Zeusit një përfaqësues të tyre, duke iu lutur që t’u japë një mbret, me shpresën se ai do të vendoste rend dhe rregull në moçalishten e tyre.
Megjithëse Zeusi pa se kjo punë ishte budallallëk, prapëseprapë ua hodhi në kënetë një cung, me shpresën se bretkosat do të pajtoheshin me këtë dhe ta zgjidhnin problemin e tyre.
Në fillim, bretkosat, të frikësuara nga krisma e madhe që erdhi nga përplasja e cungut me ujin, u tërhoq në thellësi, por më vonë, pasi druri (cungu) ishte i palëvizshëm, dolën në sipërfaqe të ujit dhe aq nuk e përfillën, saqë u ngjitën dhe u ulën mbi të. Dhe sërish filloi e njëjta gjë siç ishte më parë, pra një rrëmujë e vërtetë në moçalishte.
Të zemëruara që kishin një mbret të tillë, shkuan për të dytën herë te Zeusi dhe iu lutën që t’ua ndërronte sundimtarin, pasi ky që u kish dërguar ishte shumë i butë dhe askush nuk e përfillte.
Zeusi u zemërua me to dhe këtë herë u dërgoi një gjarpër uji, i cili filloi t’i kapte dhe i gëlltiste bretkosat një nga një. Dhe ky tregim na mëson se nëse kërkojmë diçka të paarsyeshme, mund të na kundërvihet ashpër dhe në fund ta pësojmë vet, prandaj duhet pasur kujdes me synimet dhe qëllimet tona.

No comments:

Post a Comment